Manchester City zyrtarizon lojtarin e radhës në merkato

Sport

Omar Marmoush është zyrtarisht një lojtar i Manchester Cityt. Klubi kampion i Anglisë, i ka siguruar shërbimet e egjiptianit nga klubi i Frankfurtit, për shifrën e 75 milionë eurove. Në Etihad, anësori i sulmit do të mbajë veshur fanellën me numrin 7, teksa ka firmosur gjithashtu një kontratë prej 4 vitesh e gjysmë, deri në verën e 2029-tës.

Për rreth një sezon e gjysmë, Marmoush po kalonte një formë të jashtëzakonshme në Bundesligë, e si pasojë, kishte tërhequr vëmendjen e klubeve me peshë të Europës. Përpara të gjithëve, ishte pikërisht Manchester City që arriti të siguronte shërbimet e futbollistit në fjalë.

“Nuk do ta harroj kurrë këtë ditë. Kam firmosur me Manchester Cityn, një nga skuadrat më të mira në botë. Jam i lumtur. Familja ime është e lumtur gjithashtu. Me trajnerin Pep Guardiola dhe me të gjithë pjesën tjetër të stafit, janë të gjitha mundësitë për t’u bërë një lojtar më i mirë. Nuk mund ta mohoj dot se dua të fitoj trofe. City ka qenë klubi më i suksesshëm në Angli përgjatë viteve të fundit, kështu që kam ardhur në ambientin me kulturën e duhur për të fituar”, ka thënë ndër të tjera djaloshi 25 vjeçar.

Deri në këtë fazë të sezonit, Marmoush kishte shënuar 20 gola në 26 ndeshje të luajtura me Frankfurtin. Duke parë këto të dhëna, City nuk priti dot merkaton e verës, por e bleu lojtarin që në Janar. Kampionët në fuqi të Anglisë, por përjetojnë momentin më negativ të dekadës së fundit, teksa nuk po marrin dot rezultate në të gjitha kompeticionet që janë aktivë. Në kushte si këto, Cityzens e kanë parë të udhës të investojnë bindshëm në merkaton e dimrit, për t’i vënë në dispozicion trajenrit Pep Guardiola të tjerë lojtarë me plot cilësi. Përveç Marmoush, City ka blerë gjithashtu Khusanov dhe Vitor Reis. Vlera e investimit për të tre futbollistët në fjalë, shkon në 150 milionë euro.