Manchester City zyrtarizon Erling Haaland, kundërpërgjigjet menjëherë Borussia Dortmund

Sport

Erling Haaland është zyrtarisht një lojtar i Manchester Cityt. Njoftimin e ka dhënë vetë klubi, teksa bën të ditur se norvegjezi do bashkohet me skuadrën në datën 1 korrik.

Me kampionët në fuqi të Premier League, sulmuesi i qendrës do firmosë një kontratë deri në vitin 2027-të, me lojtarin që do përfitojë të ardhura marrëmendëse deri në 450 mijë euro në javë. Në këtë mënyrë, Haaland bëhet një nga lojtarët më të paguar në Premier League, por jo më i paguari në radhët e Manchester Cityt. Në vendin e parë mbetet Kevin De Bruyne me 470 mijë euro në javë.

Për të siguruar shërbimet e Erlinga Haaland, City ka paguar klauzolën prej 60 mln eurosh në radhët e Borussia Dortmund, ndërsa në total, operacioni pritet të shkojë deri në 350 mln euro, duke përfshirë këtu kartonin e futbollistit, pagën e tij dhe komisionet e transferimit.

Në këtë mënyrë, Pep Guardiola tashmë do ketë një armë shumë të rrezikshme në sulm, sepse Haaland i tillë futbollist është. Këtë e vërtetojnë shifrat e tij të çmendura me Borussia Dortmund. Në 88 takime me verdhezinjtë, norvegjezi ka shënuar 85 gola dhe ka dhënë 23 asist për shokët e skuadrës. City është një skuadër që edhe pse pa një sulmues të deklaruar, ia ka dalë të realizojë gola të panumërt, por me Haaland në dispozicion, Guardiola pritet ta perfeksionojë repartin e avancuar.

Ndërkohë, kur kishin kaluar vetëm 62 minuta nga momenti që City njoftoi zyrtarizimin e Haaland, Borussia Dortmund u kundërpërgjigj menjëherë, duke njoftuar arritjen e akordit me Karim Adeyemi, lojtarin që shkëlqeu me Salzburgun. Tashmë pritet të jetë 20 vjeçari pika e referimit në Signal Iduna Park.