MANCHESTER CITY vs CRVENA ZVEZDA, TS1 HD, 21:00

Sport

PEP GUARDIOLA, TRAJNERI I MANCHESTER CITY:

“Crvena Zvezda më kujtohet shumë mirë. Kur isha një djalë i ri, Maradona luajti atje dhe shënoi një gol, duke e kaluar topin mbi portierin. Asokohe, ata kishin një skuadër të jashtëzakonshme. Mentaliteti i tyre është për t’u marrë shembull. Po ashtu, janë mjaft kompetitivë dhe kanë një përgatitje të lartë fizike. Nuk e di si ndodh kjo, por shkollat e tyre në përgatitjen e brezave të rinj, janë komplet një tjetër nivel.

Crvena është një skuadër tepër agresive. Madje, në disa momente, ata nuk markojnë një për një, ndërsa në disa raste po. Për këtë gjë, duhet të qëndrojmë gati, duke lexuar në mënyrën e duhur, çdo situatë të mundshme.

Është e vërtetë se ne jemi kampionët në fuqi, por duhet të them se nuk kemi bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Sigurisht që të fitosh një Champions League, për klubin tonë është një arritje e jashtëzakonshme. Por, në perspektivë, sa skuadra kanë arritur të fitojnë një Champions League? Shumë. Për këtë arsye, vërtetë që nuk kemi bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Megjithatë, jemi shumë krenarë për suksesin tonë dhe në vijim, rruga do të jetë më e lehtë, sepse vështirësia më e madhe ishte në triumfin e parë të Champions League.

Sonte do të kemi një sërë mungesash si Jack Grealish, John Stones, apo edhe Mateo Kovaçiç, të cilët munguan në ndeshjen e fundit në kampionat. Medoj se ata po përmirësohen me ritme të mira, por ende nuk janë gati. Uroj të kthehen pas kësaj sfide, sepse ata janë tepër të rëndësishëm për ne.

Dua t’i rikthehem edhe një herë finales së Stambollit dhe dua të komplimentoj Interin për lojën e mirë që zhvilloi. Ata na i vështirësuan shumë gjërat dhe mund të them se janë padyshim kandidatë për t’u rikthyer sërish në finale. Shikoni mënyrën sesi triumfuan 5-1 në derbi ndaj Milanit. Gjithmonë e kam ditur se Interi është një skuadër e fortë dhe e komplikuar për t’u përballur.”

 

KYLE ËALKER, MBROJTËSI I MANCHESTER CITYT:

“Ajo që kemi bërë, tashmë i përket të shkuarës. Kemi nisur një sezon të ri dhe duam të fitojmë sërish. Trajneri na ka thënë se kemi sërish një mal për të ngjitur. Të provojmë përsëri është ajo se çfarë e ndaj një skuadër të mirë, nga një skuadër e madhe. Për këtë arsye, ne duam të mbrojmë gjithçka që fituam një vit më parë. Këtu bëjmë pjesë në një klub të madh. Trajneri ka mjaft besim tek ne.

Të jem një nga kapitenët e kësaj skuadre, është një privilegj i madh. Jam krenar për këtë gjë do do vazhdoj të jap maksimumin për këtë fanellë. Uroj të jem një shembull, si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj dhe të jap kontributin tim, duke bërë të mundur, që të fitojmë sërish trofe.”