Manchester City vazhdon marshimin në Champions League. Kampionët në fuqi të Europës fituan edhe në javën e tretë të fazës së grupeve, duke mposhtur ekipin e Young Boys në transfertë, me shifrat 3-1, duel i vlefshëm për Grupin G.
Pas një pjese të parë me rrjeta të paprekura, kur nga e dyta kishin kaluar vetëm 180 sekonda, Akanji kaloi anglezët në epërsi. Mirëpo, 4 minuta më vonë, Elia çoi peshë të gjithë stadiumin, duke realizuar një gol spektakolar, e duke barazuar kësisoj rezultatin e sfidës.
Megjithatë, në mbrëmja në tokën zvicerane do t’i përkiste Erling Haaland. Norvegjezi shënoi dy golat e radhës të Cityt, si fillim nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 67. Në këtë mënyrë, sulmuesi i qendrës i dha fund një ecurie prej 543 minutash pa shënuar në Champions League, teksa golin e tij të fundit e kishte realizuar në muajin Prill ndaj Bayern Munich në raundin çerekfinal të kompeticionit.
Më pas, në të 86-tën, Haaland realizoi sërish, duke regjistruar një statistikë mbreslënëse në aspektin personal. Në 100 ndeshjet e fundit të luajtura në nivel klubesh, Haaland është përfshirë gjithësej në 115 gola, 96 prej të cilave janë finalizime, kurse 19 janë asistime.
Ndërkohë, i udhëhequr pikërisht nga një goleador si Haaland, City tashmë mund të konsiderohet me një këmbë në raundin me eliminim të Champions, teksa kryeson Grupin G me 9 pikë, ndjekur nga Leipzig me 6 pikë. Në shtëpinë e tyre, gjermanët fituan 3-1 me Crvenz Zvezda, duke konsoliduar pozitat në klasifikim. Yound Boys dhe Crvena Zvezda mbyllin renditjen me nga një pikë.