Manchester City është vetëm një hap larg titullit kampion në Premier League. Në javën e 37, Cityzens, arritën të fitonin një ndeshje shumë të rëndësishme, sikurse ishte ajo ndaj Tottenham në transfertë. Shtëpia e Spurs ishte kthyer në një mallkim për trajnerin Pep Guardiola, pasi nuk kishte mundur të fitonte dot asnjë ndeshje në Premier League.
Megjithatë, të Martën mbrëma, qytetarët, kanë dalë triumfatorë nga ajo zonë e Londrës Veriore, duke u ngjitur kësisoj në vendin e parë të tabelës së renditjes, në kuotën e 88 pikëve, 2 më tepër sesa Arsenali i vendit të dytë.
Në Tottenham Stadium, golat për skuadrën e Pepit u shënuan që të dy nga i njëjti personazh, Erling Haaland, në minutat 51 dhe 91. Si fillim, norvegjezi u shërbye nga Kevin De Bruyne, kurse më pas, shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Vikingu ka shënuar 63 gola në 65 ndeshjet e tij të para në Premier League, më shumë se çdo lojtar tjetër në dy vitet e tij të para në Premier.
Më tej, meritë absolute në fitoren e Cityt ka edhe portieri Ortega, i cili në minutën e 87, ndali në duel një për një gjuajten e koreano-jugorit, Son, që nëse do të kishte shkuar në rrjetë, atëherë mund të kishte ndryshuar fatin e sezonit dhe mund t’i kishte dhënë titullin kampion skuadrës së Arsenalit, që shpresonte për një hap fals të Cityt.
Në kushte si këto, City tashmë është vetëm 90 minuta larg titullit të 10 kampion në Premier League dhe të katërtit radhazi. Në duelin e fundit të sezonit, Blutë e Manchesterit do të luajnë ndaj Ëest Ham në shtëpinë e tyre. Fitorja, do të shkruhej me gërma të arta për qytetarët, pasi do të bëheshin skuadra e parë në historinë e Premier League me katër tituj kampionë të fituar radhazi.