Pas shumë aludimeve të ndryshme, nuk pritet të jetë shumë e largët dita kur Riyad Mahrez t’I japë fund të gjitha diskutimeve rreth të ardhmes së tij. Nga kontrata e tij aktuale me Manchester Cityn, ka mbetur edhe një vit, mirëpo palët janë besimplotë për ta vazhduar edhe më tej bashkëpunimin.
Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, Mahrez është shumë pranë rinovimit të kontratës, edhe për 3 sezone të tjera me kampionët e Premier League. Pra, deri në verën e vitit 2025.
Përgjatë edicioneve të fundit futbollistike, 31 vjeçari është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të trajnerit Pep Guardiola. Mirëpo, edhe vetë anësori ka ditur t’ia shpërblejë besimin trajnerit spanjoll.
Në sezonin që lamë pas, atë 2021/22, Mahrez u aktivizua 47 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar një total prej 24 golash, të kombinuar edhe me 9 asistime. Me këto shifra, Mahrez ishte golashënuesi më I mirë I Cityzens përgjatë edicionit të shkuar, ndërsa në fund arriti të fitonte edhe titullin e Premier League.
Më tej, përveç Mahrez, një tjetër futbollist që pritet të rinovojë kontratën me Manchester City, është edhe Phil Foden, deri në vitin 2028-të.