Manchester City rikthehet në krye të tabelës së klasifikimit në Premier League

Sport

Të mërkurën mbrëma, Cityezens, triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 përballë Brighton në shtëpi dhe tashmë ngjiten të parët në klasifikim me 77 pikë, një më tepër sesa ndjekësit e Liverpool.

Episodet më të rëndësishme të takimit në Etihad Stadium u zhvilluan në pjesën e dytë, me autorët e golave, Riyad Mahrez, Phil Foden dhe Bernardo Silva. Ndër të tjera, ky ishte një sukses më vete edhe për Pep Guardiolën.

Kjo ishte fitorja e 250 I spanjollit si trajner I Manchester Cityt në të gjitha kompeticionet. Për ta bërë këtë, 51 vjeçarit I janë dashur vetëm 344 ndeshje, çka e bën atë menaxherin më të shpejtë në historinë e Premier League që siguron një statistikë të tillë. Pas tij, renditet Jose Mourinho, me 250 fitore në 396 ndeshje.

Më tej, përveç garës spektakolare për titullin kampion, në Premier League po zhvillohet një betejë e vërtetë edhe për vendin e 4 të kampionatit, që të kualifikon në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Një prej skuadrave pretendente për një pozicion të tillë padyshim që është Arsenali. Në Stamford Bridge, Gunners arritën një fitore spektakolare ndaj Chelsea me rezultatin 4-2, duke qenë ata dominues të derbit të Londrës.

Pas 3 humbjeve radhazi, skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta arriti të bënte një kthesë të jashtëzakonshme, ndaj një rivali të jashtëzakonshëm, sikurse është Chelsea. Në këtë mënyrë, topçinjtë, ndodhen të 5-tët në rënditjes me 57 pikë, po aq sa Tottenham I vendit të 4.