Në Etihad Stadium Manchester City pret Juventusin në një ndeshje e cila për nënkampionët e Evropës është tejet e nevojshme për të dalë nga amullia e rezultateve. Në ndeshjen e parë të Grupit D, që transmetohet eskluzivisht në Tring Sport 1 High Definition, Zonja e Vjetër vjen me një formë të dobët. Skuadra e Massimiliano Allegrit në tre ndeshjet e para të Serie-A ka mundur të grumbullojë vetëm një pikë.
Krejt tjetër është forma e City-it, që në Premier League i ka fituar të pesta takimet e para, madje pa pësuar asnjë gol. Mungesat në këtë takim e kanë emrin Kun Aguero dhe Claudio Marchisio, të dy të lënduar. Por në fushë në radhët e skuadrës së Pellegrinit do të rikthehen Raheem Sterling dhe David Silva, të cilët nuk e luajtën ndeshjen e fundjavës. Ndërsa nga ana e Allegrit, do të besohet sërish te dyshja Mandzukic-Dybala dhe në mesfushë te Poul Pogba.
Të dyja skuadrat janë ndeshur edhe më parë në Europa League, në sezonin 2010-11. Asokohe të dy takimet e grupeve përfunduan në barazim 1-1, ndërkohë që këtë vit gjërat janë krejt ndryshe. Pas një vere ku City shpenzoi 200 milionë euro për ta përforcuar skuadrën, pretendimet janë rritur ndjeshëm.