Manchester City, Petit mendon se Guardiola ka nevojë për pushim

Sport

Manchester City, në fillimin e vitit 2020-të, mori një ndëshkim nga UEFA, duke u përjashtuar për 2 sezone nga Champions League, për shkak se nuk kishte respektuar rregullat e fair play-t financiar. Reagimi i kampionëve në fuqi të Premier League, ishte i shpejtë, duke e apeluar këtë vendim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, CAS, pasi mendojnë se nuk kanë bërë asnjë shkelje përtej rregullave të vendosura. Në lidhje me këtë situatë, ka folur Emannuel Petit, ish-lojtari I Arsenal, por që në vitet 90-të ka luajtur së bashku me Pep Guardiolën tek Barcelona, me këtë të fundit që sot është trajner I Manchester Cityt. Petit mendon që Pep ndodhet në një fazë ku ka nevojë për të pushuar, dhe nëse City dënohet përfundimisht, atëherë kjo do të ishte mënyra më e mirë për Guardiolën që të tërhiqej për disa kohë. “Mendoj se Guardiola ka nevojë për pushim në këto momente. Do të ishte një mundësi e mirë për të. Nuk kanë kaluar shumë kohë, që nga momenti kur ai dukej qartë se kishte nevojë të bënte një ndërprerje për disa kohë nga profesioni i tij”. Më tej, Petit shton, që në rast se klubi nuk e fiton betejën në CAS, atëherë i gjithë investimi i bërë në vitet e fundit, mund të thyhet shumë shpejtë, pasi futbollistët do të mendojnë të largohen në klube të tjera elitare të Europës.