Manchester City nuk del dot nga kriza, skuadra angleze prek disa rekorde negative

Sport

Manchester City zhytet gjithnjë e më shumë në krizë. Feyenoordi konsiderohej si ndeshja e kthesës për kampionët e Premier League, të cilët vinin nga 5 humbje radhazi në të gjitha garat, ndërsa Champions League, cilësohej si kompeticionit që do të shënonte edhe pikën e kthesës. E në fakt, ashtu dukej se do të ndodhte deri në minutën e 75, teksa qytetarët po fitonin 3-0. Kur gjithçka dukej se kishte përfunduar, futbolli tregoi edhe një herë tjetër se asnjë rezultat nuk është i sigurt dhe se asgjë nuk është e pamundur. Në më pak se 15 minuta lojë, skuadra hollandeze barazoi rezultatin në 3-3, duke lënë një shije mëse të hidhur në radhët e të zotëve të shtëpisë. Si pasojë e një rezultati të tillë, janë radhitur menjëherë disa rekorde negative. City është bërë skuadra e parë ne historinë e UEFA Champions League që deri në minutën e 75 udhëhiqte me 3 gola dhe në fund nuk ka arritur të fitojë dot. Po ashtu, City, nuk ia del të fitojë një ndeshje të cilën po e udhëhiqte me 3 gola, për herë të parë që nga Maji i vitit 1989-të. Ky rezultat, ka lënë shenjë gjithashtu edhe në karrierën e trajnerit Pep Guardiola. Në 942 ndeshje të menaxhuara përgjatë këtyre viteve, kjo ishte hera e parë që një skuadër e Pep nuk e fiton dot një sfidë, pasi e kryesonte me 3 gola epërsi. Sa i përket situatë në Champinos League, pas 5 javësh në Fazën e Ligës, City renditet në vendin e 15, me vetëm 8 pikë të grumbulluara.