Pas raundit të dytë të fazës së grupeve të UEFA Champions League, Manchester City ka marrë menjëherë kryesimin e Grupit G. Pas fitores në javën e parë, ndaj Crvena Zvezda në shtëpi, kampionët e Europës kanë dalë me pikë të plota edhe nga transferta e Leipzig, duke fituar me rezultatin 3-1.
Cityzens e mbyllën në avantazh 1-0 pjesën e parë, falë finalizimit të Phil Foden, por kur nga fillimi i pjesës së dytë kishin kaluar vetëm 180 sekonda, Openda riktheu barazpeshën. Pavarësisht përpjekjeve, për fitoren e Cityt do të mendonte Julian Alvarez, i cili pasi kishte vetëm 5 minuta që ishte aktivizuar, në të 84-tën shënoi golin e dytë për të tijtë, ndërsa në të dytën minutë të shtesës, Doku realizoi edhe të tretin për skuadrën e Pep Guardiolës, që tashmë kryeson Grupin me 6 pikë, ndjekur pikërisht nga Leipzig me 3 pikë.
Ndërkohë, në radhët e Manchester Cityt, ka nisur të bjerë në sy mungesa e realizimit të golave nga Erling Haaland dhe këtu bëhet fjalë për kompeticionin e Champions League. Në 5 ndeshjet e fundit, norvegjezi nuk ka arritur të shënojë dot asnjë gol, teksa më herët, asnjëherë nuk kishte shkuar më tepër sesa 2 ndeshje pa realizuar në Champions. Sidoqoftë, shtatlarti i ofensivës mbetet padyshim një pikë kyçe dhe një lojtar shumë i rëndësishëm për kampionët e Premier League.
Sakaq, sfida tjetër e Grupit G, mes Crvena Zvezda dhe Young Boys është mbyllur në barazim 2-2. Të skuadrat përkatëse, klasifikohen përkatësisht në vendin e 3 dhe të 4, me vetëm nga një pikë.