Manchester City mund të rinovojë kontratën me Julian Alvarez. Ndonëse sulmuesi u bë pjesë e kampionëve të Anglisë në verën që lamë pas, duke firmosur deri në 2027-tën, impakti që ai ka lënë në “Etihad” përgjatë kësaj kohe ka qenë i jashtëzakonshëm.
Një rol shumë vendimtar në këtë lëvizje të radhës nga City ka luajtur edhe Kupa e Botës. Me Argjentinën e tij, 22 vjeçari arriti të shpallej kampion në Botërorin e Katarit, e madje si protagonist. Sulmuesi ishte titullar në 6 prej 7 të ndeshjeve të luajtura në total dhe po ashtu shënoi 4 gola, duke u shpallur golashënuesi i dytë më i mirë i përfaqësueses së tij pas Lionel Messit me 7 finalizime.
Në kushte si këto, Manchester City kërkon që t’i ofrojë djaloshit në fjalë kushte më të mira në kontratë dhe mendohet se në një të ardhme të afërt, palët do të ulen dhe do bisedojnë rreth kësaj çështje.
Përveç suksesit me Argjentinën në Botëror, Alvarez ka lënë gjurmë edhe me Manchester Cityn deri në këtë fazë të sezonit. Ai ka shënuar 8 gola në gjithësej 23 takime të luajtura nën urdhërat e trajnerit Pep Guardiola.