Pak kohë më parë u përfol se Manchester City mund të merrte një dënim shembullor nga UEFA sa i përket shkeljes së rregullave të ‘Fair-Play’ financiar, që shihte kampionët e Anglisë të përjashtoheshin edhe nga ‘Champions League’-a. Megjithatë, ‘citizens’ janë të vendosur për t’u mbrojtur me çdo kusht dhe siç zbulon ‘Associated Press’, drejtuesit e Manchester City kanë kërkuar ndërhyjen e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, i njohur si ‘CAS’. Tek kampionët e Anglisë pretendojnë se UEFA ka anashkaluar të gjitha provat e paraqitura në mbrojtjen e tyre, duke vënë në diskutim edhe paanashmërinë e gjykimit që është bërë ndaj Manchester City.
E gjithë kjo çështje filloi kur e përditshmja gjermane ‘Der Spiegel’ zbuloi disa dokumenta ku shfaqeshin disa transaksione fiktive, bilance të pakontrolluara si dhe marrëveshje marketingu me kompani të lidhura me pronarët e klubit. Kjo e fundit duket se i ka vënë vulën ndërhyrjes së UEFA-s, pasi me anë të këtyre kontratave, Manchester City kishte justifikuar bilancet e saj dhe respektimin e ‘Fair-Play’ financiar. Mirëpo UEFA nuk e toleron faktin që këto kompani mbeten të lidhura me pronarët e ‘citizens’, çfarë përbën një shkelje të rregullave të institucionit më të rëndësishëm të futbollit europian. Ky mashtrim i skuadrës angleze sipas dokumenteve ka ndodhur për disa vite me radhë, ndërsa tek Manchester City janë të bindur se provat e tyre janë të mjaftueshme për të bindur Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv që të marrë situatën në dorë.