Manchester City interesohet për Bennacer, algjeriani ndiqet edhe nga PSG

Sport

Një nga sukseset e pakta të Milanit gjatë këtij sezoni mund të konsiderohet edhe paraqitja e Ismael Bennacer në qendër të mesfushës. Algjeriani, i transferuar verën e kaluar nga Empoli, ka fituar besimin e pëlqimin e drejtuesve dhe të tifozëve të Milanit, të cilët mendojnë se 22-vjeçari mund të jetë një nga elementët kyç të projektit kuqezi. Megjithatë, paraqitjet e mira të Bennacer nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga klube të tjera. Pak kohë më parë, në Francë raportonin se PSG e ka ndjekur nga afër situatën e mesfushorit algjerian dhe duke shfrytëzuar dhe kontaktet e Leonardos, mund të provojnë ta afrojnë 22-vjeçarin në ‘Parc des Princes’. Raportime të ndryshme flasin për një interes konkret për lojtarin e Milanit ka shfaqur edhe Manchester City, ku mediat franceze spekulojnë se ka qenë vetë trajneri i ‘citizens’, Pep Guardiola që ka telefonuar Bennacer, ndonëse ky lajm mbetet ende i pakonfirmuar. Bennacer është pyetur rreth mundësisë së kalimit të tij në ‘Premier League’, ku kërkesa kryesore e vetë mesfushorit është që t’i garantohen sa më shumë minuta në fushën e lojës. Duke parë konkurencën e lartë në rolin e tij tek Manchester City, apo qoftë edhe tek PSG, vështirë se Bennacer do të ketë që në fillim një vend titullari. Sa i përket Milani, kuqezinjtë nuk kanë dëshirë të humbasin një nga lojtarët që ka provuar vlerat e tij gjatë këtij sezoni, megjithatë, mediat raportojnë se në kontratën e algjerianit me kuqezinjtë, ekziston një klauzolë lirimi, që llogaritet në 50 milionë euro.