Manchester City i Pep Guardiolas e ka shfrytëzuar në maksimum rezultatin e ndeshjes së parë përballë Basel. “Citizens” u mundën në shtëpi 1-2, ku në formacionin vendas mungonin shumë emra kryesorë.
Gabriel Jesus në fakt do t’i jepte avantazhin skuadrës së tij në minutën e 8. Ndërsa dy minuta më vonë, Bernardo Silva do të shpërdoronte një shans të mirë për të dyfishuar rezultatin. Portugezi së bashku me Leroy Sane do të ishin kërcënime të vazhdueshme për mbrojtjen e Basel. Pikërisht Sane do të krijonte një shans mjaft të mirë, të cilin Gundogan nuk ia doli ta shfrytëzonte siç duhet. Zvicerianët nga ana e tyre do të këmbëngulnin me kundërsulme dhe përpjekjet e tyre do të shpërbleheshin në minutën e 17, ku Elyonoussi do të barazonte shifrat.
Edhe pjesa e dytë pa të njëjtat situata, me vendasit që përpiqeshin të gjenin golin e avantazhit, mirëpo në të 71-tën minutë, Lang do të befasonte portierin Claudio Bravo, duke fiksuar rezultatin 1-2. Pavarësisht kësaj, fitorja 0-4 në ndeshjen e parë dërgon Manchester City-n në çerekfinale, ku do të presë per të mësuar kundërshtarin e radhës në Champions League.