Manchester City i dha fund ëndrrës evropiane duke u eliminuar nga Monaco në të tetat e Champions League-ës. Skuadra e Pep Guardiolës nuk arriti të ruajë avantazhin 5-3 të ndeshjes së parë, duke u mposhtur 3-1 në Monaco. Zhgënjimi ishte i madh ndërsa trajneri spanjoll mori përsipër përgjegjësitë. “Në të gjitha takimet me lojtarët, u mundova t’i bind që të përpiqen në maksimum për të sulmuar dhe shënuar gola. Gabimi është i imi, që nuk munda t’i bind si duhet për ta arritur këtë gjë” – tha Guardiola. Trajneri spanjoll nuk ka mundur të ripërsëris sukseset e Barcelonës që kur është larguar nga katalanasit. Me Bayernin e Munich-ut arriti tre gjysmë-finale, ndërsa tanimë me City-in nuk shkoi dot as në çerek-finale. Kjo është hera e parë që një skuadër e Guardiolës eliminohet që në këtë fazë të Champions League-ës. “Arrita t’i bind disi në pjesën e dytë, por ishte shumë vonë. Të gjithë trajnerët bëjnë gabime, por them se ndaj Monacos nuk ishte gabim taktik, por motivimi. Për mua diferenca u bë në pjesën e parë” – analizoi spanjolli, i cili në fundjavë pati shprehur hapur se nëse nuk do të arrinte të fitonte qoftë dhe një trofe me City-in, do të ishte një dështim për të. “Erdha këtu për të fituar Champions League-ën. U përpoqa, dhe do të përpiqem sërish” – theksoi Guardiola.
!