Manchester City është gati të “thyejë bankën” dhe të kryejë një nga transferimet më të shtrenjta të historisë së futbollit. Kampionët e Europës duan të transferojnë mbrojtësin e Leipzig, Josko Gvardiol. Sikurse raportojnë mediat e huaja, Blutë e Manchesterit do të paraqiten në dyert e klubit gjerman me një ofertë që prek shifrën e 100 mln eurove, mjaftueshëm për të bindur Demat e Kuq.
Nëse marrëveshja kompletohet me sukses, atëherë, Gvardiol do të bëhej mbrojtësi më i shtrenjtë i historisë së futbollit i blerë ndonjëherë. Nga kjo shumë e majme, pritet të përfitojë ndjeshëm edhe klubi i mëparshëm i lojtarit, Dinamo Zagreb, që zotëron 20% të vlerës së kartonit të kroatit.
Vetëm 21 vjeç, Gvardiol konsiderohet si një ndër më të mirët në qarkullim, e gjithashtu një element që garanton të paktën një dekadë në prapavijë. Pep Guardiola e dëshiron me ngut mbrojtësin, për të zëvendësuar Aymeric Laporte, me këtë të fundit që pritet të largohet nga City.
Duke marrë parasysh që Pep është një trajner, i cili preferon të luajë me module të ndryshme në prapavijë, Gvardiol është një lojtar që përshtatet më së miri në këtë sistem, sepse mund ai mund të luajë edhe si mbrojtës qendre, po ashtu edhe si mbrojtës i krahut të djathtë.
Ndonëse Gvardiola ka një kontratë me Leipzig deri në verën e 2027-tës, duke marrë parasysh ofertën e majme të Cityzens, klubi gjerman nuk pritet të ketë kundërshtime. Nga ana tjetër, Pep dëshiron që ky “operacion” të kompletohet sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që lojtari të mos humbasë kohë, por të fillojë nga puna për sezonin e ardhshëm, me pjesën tjetër të skuadrës.