Manchester City, De Bruyne thotë se skuadra duhet të fitojë ‘Champions League’-ën me çdo kusht

Sport

Pep Guardiola dhe Manchester City po kalojnë një nga sezonet më të vështirë, teksa veç humbjes së garës për titullin kampion me Liverpool-in, çështje që duket se do të mbyllet së shpejti, ‘citizens’ kanë një rrugë të vështirë edhe në ‘Champions League’. Dënimi i marrë nga ‘UEFA’ thjesht sa ka rritur presionin tek Manchester City, që e shohin triumfin në kompeticionin më të rëndësishëm në Europë për klube si një detyrim. Këtë mendon edhe një prej yjeve kryesorë të kësaj skuadre, Kevin De Bruyne. Sipas mesfushorit belg, nëse skuadra nuk arrin triumfin në ‘Champions League’, atëherë çdo sukses tjetër që do të arrihet në këtë sezon, apo ato të viteve të kaluara do të harrohen krejtësisht.
De Bruyne këmbënguli se përballjet me Real Madrid në fazën e 1/8-ave janë një test i mirë për të marrë nëse mundësitë e ‘citizens’ janë reale për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni apo jo. Belgu refuzoi të komentonte çështjen e dënimit të marrë nga ‘UEFA’ me përjashtim prej 2 sezonesh nga ‘Champions League’-a, duke i qëndruar fjalëve të trajnerit Pep Guardiola. Njësoj si tekniku katalanas, edhe De Bruyne tha se i beson plotësisht drejtuesve të klubit dhe është optimist se çështja do të marrë zgjidhjen e duhur në apel. Në fund, mesfushori foli edhe për çështjen e penalltive, që duket se është kthyer në një problem më vete. Aguero gaboi në 11-metërshin e radhës përballë Leicester në kampionat, por argjentinasi vijon të jetë goditësi i parë i tyre, ndonëse vetë De Bruyne tha se është i gatshëm t’i marrë përsipër nëse trajneri Guardiola do t’ja kërkonte diçka të tillë. Në aspektin personal, ky sezon për mesfushorin e kombëtares belge ka qenë mjaft i mirë, pasi në 33 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ka realizuar 8 gola dhe 19 asiste.