Manaj: Vij në një nga klubet më të mëdhenj

Sport

Barcelona B bëri zyrtar afrimin e Rey Manaj nga Albacete Balompié, ndërkohë që publikoi edhe shifrat që deri tani ishin mbajtur disi të fshehta. Fillimisht, klubi katalanas do të paguajë një shumë prej 700,000 eurosh për kartonin e lojtarit, ndërsa vetë ish-sulmuesi i Interit, Pizës, Pescaras e Granadas ka rënë dakord për një kontratë deri në qershor 2023. Përfitimi për Albaceten mund të shkojë në 2 milionë euro përmes bonuseve, nëse lojtari përmbush një numër të caktuar paraqitjesh përgjatë 3 viteve e gjysmë.
E bujshme është edhe klauzola që ka përfshirë Barcelona në kontratën e sulmuesit dhe konsiston në 50 milionë euro, që duhen paguar për këdo që do të dëshirojë shërbimet e tij. “Kjo është një nga ditët më të rëndësishme të jetës time. Kam firmosur për një nga klubet më të mëdhenj. Për mua madje është më i miri në histori. Kur erdhi oferta nga Barcelona, nuk doja të dëgjoja asgjë tjetër. Tani, unë jam këtu dhe tepër i kënaqur. Mezi pres të zbres në fushë për të luajtur”, deklaroi Manaj për Barca TV. Më tej ai ka vazhduar duke thënë se gëzon përvojë të madhe dhe është i vetëdijshëm që sulmuesit janë ata që kanë detyrën për të shënuar gola. “Shpresoj që së pari me skuadrën B të sigurojmë mbi të gjitha ngjitjen në divsionin e dytë, sepse është tepër e rëndësishme për klubin”, ka përfunduar Manaj, i cili u bashkua me Albacete në korrik 2018, pasi erdhi në huazim me detyrim blerjeje. Ai ka shënuar 10 gola në 41 ndeshje në Ligën e Dytë të Futbollit Spanjoll.