Rei Manaj rikthehet të ketë probleme disiplinore tek Albacete. Nga të dhënat që vijnë prej klubit spanjoll, drejtuesit e kanë dënuar lojtarin shqiptar. Mësohet se shkak është bërë kundërshtimi i Manajt për të qenë pjesë e lojtarëve në dispozicion, kur e ka marrë vesh se nuk do të jetë pjesë e formacionit në sfidën kundër Fuenlabradas. Për më tepër, lushnjari ka dalë për ta parë këtë ndeshje në tribunën e gazetarëve. Gjë që nuk i ka pëlqyer Albacetes.
Si rrjedhojë, pas ditës së ndeshjes, sulmuesi i Kombëtares Shqiptare nuk është stërvitur me pjesën tjetër të grupit dhe do të përfshihet me skuadrën për ndeshjen e radhës vetëm nëse do të reflektojë në seancat e ardhshme stërvitore. Për këtë ka reaguar edhe trajneri i skuadrës spanjolle, Luis Miguel Ramis: “Manaj ka thyer disiplinën dhe klubi e ka ndëshkuar, gjë të cilën unë e respektoj. Urojmë të reflektojë për këtë dhe ka mundësi që të jetë sërish në fushë në ndeshjen ndaj Cadiz, por na mbetet që të vendosim. Ai është stërvitur individualisht për shkak të masës së marrë nga klubi”, u mjaftua të sqarojë trajneri.