Rey Manaj është kthyer më në fund titullar, duke kontribuar për kualifikimin e Albacete në Kupën e Mbretit. Megjithëse në fund, pati edhe një episod që vetë sulmuesi nuk do ta mbajë mend për mirë: pikërisht në minutën e katërt të shtesës në sfidën kundër modestëve të Tudelano, Rey humbi një penallti, duke e përplasur topin në traun e portës.
Gjithsesi, ky shpërdorim nga ana e sulmuesit të përfaqësueses shqiptare, fatmirësisht nuk ndikoi në fitoren (1-0) e fiksuar nga skuadra e tij. Lajm i mirë është fakti që lushnjari rikthehej në fushë si titullar me Albaceten pas gati dy muajve. Ndërkohë që në këtë ndeshje të Kupës përballë një kundërshtari të kategorisë së tretë spanjolle, pati mundësinë për të treguar vlerat. Manaj kishte disa raste për të shënuar, por nuk gjeti dot rrjetën, ndërsa një gjë të tillë e bëri Ojeda në minutën e 39 të ndeshjes.
Kështu, lushnjari hyri në kronikën e ndeshjes thjesht për penalltinë e humbur, me të cilën kishte mundësinë të rikthehej te rruga e golit, pas një periudhe që zgjat nga fillimi i tetorit, atëherë kur shënonte ndaj Alcorcon. Tashmë shansin e radhës do ta ketë në fundjavë, kur Albacete do të luajë ndeshjen e fundit të vitit kundër Elche. E Manaj do të kërkojë ta mbyllë 2019-n sa më bukur.