Manaj në listën e Barçës për Champions, por UEFA bën “gafë”

Sport

Deri përpara pak kohësh luante në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll. Vështirë se Rey Manaj e kishte imagjinuar se në një kohë të shpejtë do të kalonte te Barcelona, fillimisht te skuadra B e saj. E më që pas klubi katalans do t’i jepte shansin që të kishte mundësinë për t’u aktivizuar edhe në Champions League, nga faza e 1/8-ave që nis më 18 shkurt. Pikërisht, sulmuesi 22-vjecar është përfshirë në listën “A” të dorëzuar nga Barcelona në UEFA, sa u takon futbollistëve që do të jenë të gatshëm për ndeshjet e fazës me eleminim direkt të kompeticionit më madhor evropian. Në listën me 25 emra të lojtarëve kryesorë përfshihet edhe sulmuesi shqiptar, megjithëse UEFA ka gabuar rëndë kombësinë e tij duke e konsideruar italian.
Zgjedhja e Barcelonës është e detyruar për dy kushte. Fillimisht lojtari shqiptar është i vetmi “9” që u ka mbetur katalanasve, duke pasur parasysh dëmtimet e Luis Suarez, shitjes së Carlos Perez dhe dyshimeve mbi gjendjen fizike të Dembele. Kurse arsyeja e dytë është se Barcelona dhe çdo skuadër tjetër duhet të dorëzojë dy lista, A dhe B. Tek A-ja janë të gjithë lojtarët kryesorë, ndërsa te B, ose ajo e pritjes, duhet të jenë lojtarët e akademisë nën U-21 vjeç dhe kanë të paktën tre vite në klub. Kjo e ka kapërcyer Manajn 22-vjecar menjëherë në listën kryesore, pasi nuk përmbush asnjë prej këtyre kritereve.
Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, i cili në Champions do të mbajë fanelën nr.41, ka kryer disa seanca stërvitore me ekipin e parë gjatë javës së kaluar, dhe mesa duket ka impresionuar trajnerin Quique Setien për të merituar këtë grumbullim.
Një sukses i radhës për Rei Manaj, që po merr vëmendjen e të gjithëve në Spanjë, madje duke surprizuar tifozët shqiptarë, pasi kur kaloi te Barcelona B pakkush e mendonte se mund t’i jepej një shans i tillë për skuadrën e parë.
Kështu, pas Hysajt me Napolin dhe Gjimshitit me Atalantën, Manaj është shqiptari i tretë që figuron në listat e Champions Leagues e që do të ketë shansin që ndoshta të jetë pjesë e sfidave emocionuese të 1/8-ave të finaleve. Ndeshja e ardhshme të Barcelonës në Champions League është pikërisht kundër Napolit të Hysajt, më 25 shkurt në San Paolo.