Rey Manaj është praktikisht një futbollist i Barcelonës. Këtë të hënë, sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë do të prezantohet si blerja e re e skuadrës së dytë të Barcelonës, që merr pjesë në Segunda Division B.
Manaj kaloi me sukses kontrollet mjekësor dhe gjithçka është përgatitur që ai të pozojë me fanellën e Barçës. 22-vjeçari shqiptar është afruar në klub për të zëvendësuar Abel Ruiz, i cili do të huazohet te Sportingu i Lisbonës në Portugali.
Manaj vjen në një kohë kur në Barcelonë nuk ka shumë sulmues qendre dhe ka mundësinë të tregojë vlerat e tij.
Lushnjari kishte një kontratë me Albaceten deri në vitin 2024, por shansi që iu dha për të kaluar në skuadrën e dytë katalanase, vendosi që largimi të ishte opsioni më i mirë. Sulmuesi shqiptar prej disa ditësh ndodhej në Barcelonë, i shoqëruar nga shokët e tij, ku ndoqi direkt edhe një ndeshje të Barcelonës B, atë qëu humb 1-0 ndaj Gimnastic. Ndërsa në mbrëmje ishte edhe në Camp Nou, për të parë fitoren e skuadrës së madhe ndaj Grandas, sic ka konfirmuar me videot e hedhura në Instagram
Tashmë, ai pritet do të jetë në gjendje të debutojë fundjavën e ardhshme, në “Estadi Johan Cruyff”, kundër Ejeas.
Ndërkohë që në të ardhmen, nëse do të arrijë të tërheqë vëmendjen, ai mund të bëhet një alternativë për skuadrën e parë, pasi edhe trajneri Setien ka pranuar se do të afrojë shpesh lojtarë nga skuadra e dytë. Për më tepër në një periudhë kur për një kohë të gjatë, Barca duhet të bëjë pa një sulmues kryesor, pasi është dëmtuar Luis Suarez.