Protagonist, në të mirë e në të keq. Rey Manaj shënoi golin e radhës në sfidën që skuadra e tij, Albacete, fitoi 3-1 në transfertë ndaj Majorkas. Por përveçse konfirmoi formën e mirë përpara portës, sulmuesi i Kombëtares kuqezi dëmtoi rëndë edhe një kundërshtar duke e detyruar të largohet nga fusha me ambulancë. Aq sa bëri tifozët vendës të Majorkas që ta sulminin me thirrjet “vrasës”. Sikur të mos mjaftonte kaq, duke folur për mediat në fund të ndeshjes, Manaj ka treguar edhe kërcënimet me jetë që ka marrë, pavarësisht se është shprehur se ndërhyrja e tij ishte e paqëllimshme.
“Betohem se ndërhyrja kundrejt Xisko Campos ishte e pavullnetshme, përderisa ishte një dyluftim dhe të dy vrapuam për të marrë topin dhe fati e deshi që të ndodhte ashtu. Më vjen keq vërtet, edhe pse kam marrë mjaft mesazhe si në rrjetet sociale, ashtu edhe në fushë, aq sa më kërcënuan deri me jetë Unë kam vetëm respekt për njerëzit dhe asgjë tjetër. Futbolli është kështu, dëmtime të tilla mund t’i ndodhin kujtdo”, deklaroi sulmuesi shqiptar, të cilit vetë Xisco i ka dalë në mbrojtje, duke thënë se janë gjëra që ndodhin dhe se lojtari i Albacete ishte i pari që u interesua për shëndetin e tij. Për shkak të kësaj situate të krijuar, ai nuk ka mundur të shijojë shënimin e golit që në minutën e 3-të të takimit. Me këtë realizim, Manaj ka arritur në kuotën e tre golave të shënuar në vetëm 4 ndeshje, duke treguar se ka bërë një zgjedhje të mirë që u largua nga Granada gjatë kësaj vere. Praktikisht mund të thuhet se tek Albacete, lushnjari ka gjetur veten.