Manaj e Cikalleshi i lëshojnë njëri-tjetrit… sfidën

Sport

Sokol Cikalleshi dhe Rei Manaj ishin sulmuesit e Kombëtares shqiptare që arritën të shënojnë në fundjavë, me skuadrat e tyre respektive. Mirëpo, mesa duket i kanë vendosur njëri-tjetrit edhe objektiva, duke i dhënë jetë kështu një sfide në distancë. Rei Manaj realizoi golin vendimtar të fitoren 1-0 të derbit të shqiptarëe, ndaj Malagës së Sadikut dhe Bares. Teksa publikoi në Instagram edhe një foto duke treguar numrin e tij në fanelë te Albacete.Ndërkohë që në këtë publikim nuk mungoi as komenti i Çikalleshit, i cili e përgëzoi. Me Manajn që nuk ka vonuar t’i shpallë një sfidë, duke i kërkuar që këtë sezon të shënojë 15 gola. Teksa në të njëjtën mënyrë ia ka kthyer edhe Cikalleshi, duke i thënë se po aq pret edhe nga sulmuesi lushnjar te Albacete. Për momentin, Manaj është në kuotën e 1 realizimi pas 4 javëve. Kurse vetë Cikalleshi nuk e ka ndërmend të ndalet, pasi vazhdon të shënojë edhe në Kategorinë e Dytë turke, me skuadrën e Akhisarspor. Pas i shënoi një javë më parë ish-portierit të Lacit, Selmani, të dielën bëri “bis”, duke realizuar golin e tretë në suksesin 3-1 kundër Hatajaspor.

Në fakt, këta dy sulmues të Kombëtares ishin protagonistë edhe në ndeshjen e fundit të kuqezinjve ndaj Islandës, teksa Manaj asistoi për kapitenin Hysaj. Kurse kavajasi realizoi golin që rrumbullakosi shifrat në 3-1, pa harruar as atë penallti të kthyer në gol ndaj Francës. Dy sulmuesit, pritet të jenë së bashku edhe në ndeshjen ndaj Turqisë në mesin e tetorit, atëherë kur Kombëtara do të luajë shpresat e fundit për ëndrrën-Europian.