MANAJ, DOPIETE ME TE RINJTE E INTERIT: POR JAM LOJTAR I EKIPIT TE PARE

Sport

rey-manaj.jpg

Me Interin e Mançinit nuk ka shënuar ende ndonjë gol nëpër ndeshje zyrtare. Megjithatë, Rei Manaj ia ka dalë të jetë protagonisti kryesor për zikaltërit e moshës nën 21 vjeç, duke i dhënë mundësinë atyre të luajnë finalen e Kupës së Italisë, për këtë grupmoshë. Sulmuesi shqiptar ishte autori i dy golave në gjysmëfinalen e kthimit të barazuar 2-2 nga Interi, përballë të rinjve lacialë të drejtuar nga Simone Inzagi, që ishin mundur 1-0 në takimin e parë.

Ndërkohë, lushnjari 18-vjeçar nuk e ka fshehur gëzimin, për golat, por mbi të gjitha për faktin që zbriti në fushë dhe ndihmoi skuadrën e drejtuar nga Stefano Veki, në arritjen e finales. “Fituam duke luajtur me zemër, në një terren të rënduar edhe nga shiu. Ndihem vërtet i lumtur. U aktivizova te skuadra e të rinjve, me synimin për të treguar se meritoj minuta tek ekipi i parë dhe, pse jo, te skuadra Kombëtare. Unë ndihem lojtar i ekipit të parë”, ka dashur të sqarojë sulmuesi për mikrofonët e “Inter Channel”, sa i takon aktivizimit të tij.

Ndërkohë që nuk ka munguar edhe një dedikim për dygolëshin e parë të realizuar me fanellën zikaltër, duke thënë se ia kushton thjesht familjes dhe miqve të tij.