Man UTD, Martial braktis skuadrën, largohet nga Shtetet e Bashkuara

Sport

martial
Anthony Martial është një nga emrat më të spekuluar të kësaj merkatoje vere. Francezi nuk është i kënaqur me minutazhin tek Manchester United, dhe marrëdhënia e ftohtë mes tij dhe trajnerit Jose Mourinho e komplikon akoma më shumë situatën. Aktualisht, “djajtë e kuq” gjenden në Shtetet e Bashkuara, ku marrin pjesë në turneun e “International Champions Cup”. Nga ajo që është raportuar së fundmi, Martial e ka braktisur grumbullimin e skuadrës dhe është kthyer në Evropë. Spekulimet se tashmë ai ka gjetur një skuadër të re nuk kanë munguar, por kësaj radhe është vetë trajneri i tij, Jose Mourinho që kërkon të marrë situatën në dorë.

martial2

“Special One” zbulon se lojtari ka shkuar në Paris, pasi pret të bëhet baba. Kjo është arsyeja pse portugezi ka lejuar që Martial të largohet, pasi familja vjen gjithnjë e para. Gjithësesi, Mourinho ngacmohet se gjatë këtyre ditëve, Martial mund të kontaktohet nga skuadra të tjera. Ai shprehet se për këtë kujdesen drejtuesit e skuadrës, dhe se Martial nuk është lloji i lojtarit që do të bënte manovra të tilla. Largimi ose jo i futbollistit francez nga “Old Trafford” ka ndarë tifozerinë e United, ndërkohë që pak ditë më parë, Wayne Rooney deklaronte se nëse ish-skuadra e tij do të lejonte largimin e Martial, atëherë do të bënin një gabim të madh.