Man.United, Ten Hag flet për të ardhmen e Ronaldos; portugezin ‘nuk e do askush’

Sport

Cristiano Ronaldo mbetet emri më i lakuar në radhët e Manchester United. Portugezi thuhet se ka kërkuar javë më parë një largim nga ‘djajtë e kuq’, duke qenë se kërkon të luajë në ‘Champions League’, e për më tepër të jetë pjesë e një projekti që e bind. Ai ende nuk është paraqitur me skuadrën në fazën përgatitore, ndërkohë që si për të qetësuar situatën, ka menduar trajneri Erik Ten Hag. I pyetur rreth të ardhmes së Ronaldos, tekniku holandez u shpreh se veterani ka edhe një vit kontratë me Manchester United dhe në të parashikohet edhe zgjatja me 1 vit tjetër.

Me pak fjalë, Ten Hag thotë se do të ishte i lumtur ta kishte Cristiano-n pjesë të skuadrës së tij edhe për vitet e ardhshme. Skuadra si Chelsea, Bayern Munich, Sporting apo Atletico Madrid janë lidhur me një transferim të 5 herë fituesit të ‘Topit të Artë’, por gjasat janë që një gjë e tillë të mos ndodhë. Thuajse të gjitha klubet e përmendura e kanë hedhur poshtë afrimin e Ronaldos, për arsye të kërkesave të larta financiare që ka 37-vjeçari. Pak ditë më parë, ai mori një ofertë nga përtej kontinentit, por dëshira e Ronaldos është të vijojë të luajë ende në nivele të larta. Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që ai të vijojë të luajë për Manchester United edhe në sezonin e ardhshëm. Ndonëse ka patur shumë skeptikë rreth përshtatjes së Ronaldos me sistemin e lojës së Ten Hag, vetë tekniku holandez është shprehur se nuk shqetësohet për këtë gjë. Sipas tij, lojtarë të nivelit të Cristiano-s janë të aftë të lexojnë si duhen sistemet e lojës dhe eksperienca e portugezit do të jetë shumë e rëndësishme për rezultatet afatgjatë që Ten Hag pret të marrë nga puna e tij me ‘djajtë e kuq’.