Alexis Sanchez është përpjekur të japë kontributin e tij tek skuadra e Interit gjatë këtij sezoni, ndonëse kileni në disa raste ka qenë i pafat, për shkak të dëmtimeve, të cilat nuk e kanë lejuar të luajë rregullisht. Për më tepër, paraqitjet e mira të Lautaro Martinez, krahas Romelu Lukakut, ka bërë që tekniku Antonio Conte, t’i besojë pikërisht kësaj dysheje formacionin titullar. Kështu, gjasat janë që Inter të mos e blejë kartonin e Sanchez, i cili luan në Milano si i huazuar nga Manchester United. Pikërisht trajneri i skuadrës angleze, Ole Gunnar Solskjaer ka folur rreth të ardhmes së Alexis, që me gjasa duket se nuk do të jetë në ‘Old Trafford’. Sipas asaj që tha Solskjaer, lojtarë të kalibrit si Sanchez janë gjithnjë të mirëpritur tek Manchester United, por kileni e ka patur të vështirë të përshtatet me ‘djajtë e kuq’, çfarë është edhe problemi kryesor për teknikun norvegjez. Solskjaer u shpreh se pavarësisht cilësive të jashtëzakonshme të Sanchez si lojtar, ndonjëherë, është e vështirë që një yll si kileni të përshtatet me pjesën tjetër të skuadrës, apo edhe me lojën e ekipit. Për më tepër, drejtuesit më të lartë të Manchester United, flitet se kanë objektiva të tjerë në merkato sa i përket sulmit, ku shpesh është folur për emra si Jadon Sancho apo Timo Werner. Është e qartë se Sanchez nuk duket të bëjë pjesë në planet e skuadrës angleze, së cilës paga e kilenit i ‘rëndon’ jo pak në arkat e klubit. Për këtë arsye, edhe shitja e lojtarit është komplikuar. Ndërsa sa i përket huazimeve, skuadrat e tjera janë të prirura që si në rastin e Interit, të paguajnë vetëm gjysmën e pagës së Sanchez, që është kthyer në një problem më vete për Manchester United.