Man.United, Solskjaer del sërish në mbrojtje të De Geas

Sport

David de Gea ka marrë sërish vëmendjen kryesore të mediave angleze për shkak të paraqitjeve të tij të dobëta. Gabimet e portierit spanjoll në sfidën ndaj Chelsea në gjysmëfinalen e ‘FA Cup’ e kanë bërë sërish gardianin e Manchester United lojtarin më të kritikuar në këtë sezon në ekipin e trajnerin Ole Gunnar Solskjaer. Por pikërisht ky i fundit vazhdon të mbrojë de Gean përballë këtyre kritikave, duke thënë se spanjolli mbetet ende një ndër më të mirët në botë. Kritikat ndaj De Geas në këtë sezon janë shtuar për shkak se ka gabuar në jo pak ndeshje gjatë 2019/2020-ës, madje edhe në ndeshje vendimtare, siç ishte edhe ajo me Chelsean. Shumë mendojnë se 29-vjeçari tashmë është duke kaluar një ngërç psikologjik sa i përket paraqitjeve të tij në fushë. Trajneri Solskjaer mendon krejt të kundërtën, pasi sipas tij, de Gea është aq i fortë sa për të kaluar edhe të tilla situata. Norvegjezi e mbylli duke thënë se nuk do të ketë asnjë ballafaqim të veçantë me de Gean, pasi kështu vetëm sa rrit presionin mbi të. Statistikat flasin qartë për një rënie të rendimentit të portierit spanjoll në dy sezonet e fundit. Gjatë 2019/2020-ës, David de Gea renditet në vendin e tretë për gabimet që kanë çuar menjëherë në shënimin e një goli. Por këtu nuk llogariten pritjet e dobëta të portierëve. Këtë sezon, de Gea është përballur me një mesatare prej 32,3 goditjesh me shanse të larta për gol. Nga këto, de Gea regjistron 32 gola të pësuar, çfarë tregon qartë se sa të vështirë e ka portieri i Manchester United të bëjë heroin si para 3 apo 4 sezonesh, kur ishte pika më e fortë tek ‘djajtë e kuq’ e madje shpallej 4 herë lojtari i vitit në ‘Premier League’. Për më tepër, një nga portierët më të mirë në Angli është edhe Dean Henderson i Sheffield United, i cili nga sezoni i ardhshëm do të ribashkohet me Manchester United, ku do të luftojë për një vend titullai pikërisht me David de Gea.