Man.United; Sa shumë penallti për ‘djajtë e kuq’; Ja rekordi që ka irrituar tifozët e ‘Premier League’

Sport

Bruno Fernandes e ka përmbushur misionin e tij për këtë sezon. Mesfushori portugez, i transferuar plot bujë nga Sportingu tek Manchester United gjatë merkatos së janarit, ia ka dalë mbanë të ndryshojë fytyrën e ‘djajve të kuq’ në pjesën e dytë të sezonit. 25-vjeçari ishte sërish protagonist në sfidën ndaj Leicester, pasi me penalltinë e tij i dha avantazhin skuadrës së Manchester United, që siguroi rikthimin në ‘Champions League’ në sezonin e ardhshëm. Rreth minutës së 70, Jonny Evans bën një ndërhurje të gabuar ndaj Martial brenda zonës, duke detyruar gjyqtarin të akordojë një 11-metërsh në favor të Manchester United, të cilin Bruno Fernandes e ktheu në gol. Kjo ishte penalltia e 14 në këtë sezon për ekipin e Solskjaer, çfarë duket se ka irrituar një pjesë të mirë të tifozëve të ‘Premier League’, apo edhe të ish-lojtarëve të kampionatit anglez. Manchester United vendosi kështu rekordin si skuadra, në favor të së cilës janë akorduar më shumë penallti brenda një sezoni, që për shumë njerëz përkthehet edhe në një lloj favorizimi ndaj ‘djajve të kuq’. Edhe pse me futjen e sistemit ‘VAR’, numri i penalltive është rritur ndjeshëm në çdo kampionat të Europës, ‘Premier League’ mbetet gjithnjë në petkun e asaj lige ku tolerohen jo pak edhe ndërhyrjet e forta fizike. Kështu, 14 penalltitë e Manchester United për 2019/2020 kanë shkruar historinë e ‘Premier League’-ës dhe u pëlqen apo jo tifozëve, këto 11-metërsha kanë ndihmuar jo pak ekipin e Solskjaer të sigurojnë ‘Champions League’-ën. Megjithatë, ‘djajtë e kuq’ renditen mes skuadrave që kanë gabuar më shumë penallti në sezonin që sapo u mbyll në Angli. Para mbërritjes së Bruno Fernandes, Manchester United numëronte 10 penallti të akorduara në favor, por 4 prej tyre ishin shpërdoruar. Vetëm rivalët e qytetit, Manchester City ka gabuar më shumë, 5 penallti të shpërdoruara nga 11 në total. Por pas mbërritjes së Bruno Fernandes, ekzekutimi i 11-metërshave nuk duket të jetë më problem për trajnerin Solskjaer, pasi portugezi i ka shndërruar në gol të 4-ta mundësitë që ka patur. Më shumë se ai, nga pika e bardhë në sezonin që sapo u mbyll kanë shënuar vetëm Ëillian i Chelsea dhe Raul Jimenez i Wolverhampton.