Man.United dhe Ronaldo prishin kontratën; portugezi ëshë lojtar i lirë

Sport

Cristiano Ronaldo nuk është më një lojtar i Manchester United. Palët kanë rënë dakord për të prishur në mënyrë konsensuale marrëveshjen mes tyre dhe lajmi është bërë publik nga vetë klubi anglez. Pas përplasjeve të shumta në distancë, që kulmuan në një intervistë të gjatë të sulmuesit portugez, drejtuesit e Manchester United dhe përfaqësuesit ligjorë të Ronaldos, kanë gjetur akordin për të mbyllur kontratën mes tyre, pa pasoja për secilën palë. Në komunikimin e tyre, ata të klubit anglez kanë falenderuar Ronaldon për shërbimet e tij, duke mbyllur në një farë mënyrë prapa dyerve të gjitha debatet mes tyre.

Kështu, Cristiano Ronaldo ia arrin qëllimit për t’u larguar nga Manchester United e për të vijuar diku tjetër karrierën e tij, pasi portugezi është i bindur që ka ende për të dhënë në fushën e blertë. Por për momentin, 37-vjeçari nuk është vetëm pa skuadër, por edhe pa merkato. Mediat angleze raportojnë se asnjë nga klubet e mëdha deri më tani nuk ka shfaqur interes për të firmosur me të dhe e gjitha lidhet me kërkesat e larta për pagën nga ana e portugezit. Klubet italiane nuk mund të përballojnë shifrat si ato që pretendon Ronaldo, ndërkohë që në Angli, mundësitë më të mëdha mbetet Chelsea e Newcastle. ‘Blutë’ e Londrës mund të konsiderohen nga Ronaldo për faktin se luajnë në ‘Champions League’, ndërkohë që Neëcastle i ka të gjitha mundësitë financiare për të plotësuar këresat e veteranit sa i përket kontratës. Bayern Munich dhe PSG kanë po ashtu financat për të realizuar një lëvizje të tillë, por deri më tani, asnjë prej këtyre klubeve nuk ka shfaqur ndonjë interes, ndërkohë që mbetet e hapur edhe mundësia e kalimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Ronaldon e pret një kontratë nga Inter Miami i Beckham.