Bruno Fernandes do të vijojë të jetë në qendër të projektit të Manchester United për një kohë të gjatë. Mesfushori portugez ka rinovuar kontratën e tij me ‘djajtë e kuq’ deri në vitin 2026, por më shumë se sa për kohëzgjajten e marrëveshjes, ky rinovim vjen për një rritje të ndjeshme në arkëtimet e lojtarit, sa i përket pagës dhe bonuseve. 27-vjeçari thuhet se do të përfitojë një rritje prej 35% të pagës në marrëveshjen fillestare mes palëve, ndërkohë që këtë herë janë përfshirë edhe shumë bonuse të reja, që vendosin edhe më shumë përgjegjësi mbi shpatullat e portugezit.
Që nga mbërritja e tij në ‘Old Trafford’ në janarin e 2020-ës, Bruno Fernandes numëron 49 gola e 39 asiste në 117 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet. Portugezi është kthyer në një nga të preferuarit e tifozerisë së Manchester United, çfarë ka qenë një faktor i rëndësishëm që drejtuesit e klubit të shtynin marrëveshjen me të deri në 2026-ën.
Vetë lojtari ndihet i lumtur me aventurën e tij në Angli, duke qenë se luan tek skuadra që e ka frymëzuar që kur ka qenë fëmijë, ndonëse nuk e fsheh dëshirën se kërkon që të luajë sezon pas sezoni për të fituar trofe madhorë. Për momentin, tek United nuk po e shijon diçka të tillë, pasi ‘djajtë e kuq’ në këtë sezon duket të jenë jashtë objektivave të tyre. Bruno Fernandes u bë pjesë e Manchester United pasi një transaksioni që i kushtoi klubit anglez plot 63 milionë euro, për ta transferuar mesfushorin nga skuadra e Sportingut.