Që kur transferimi i tij tek Manchester City u bë realitet, Erling Braut Haaland ishte i destinuar për të shkruar historinë. Sulmuesi norvegjez do të jetë me gjasa fituesi i ‘Këpucës së Artë’ në Europë në këtë sezon dhe po e bën këtë në mënyrën më fantastike të mundshme, duke thyer tashmë edhe rekordin e më shumë golave të shënuar në ‘Premier League’, brenda një sezoni të vetëm. Me golin e shënuar në fitoren 4-1 ndaj Arsenalit, Haaland regjistroi rrjetën e 33-të në këtë edicion të elitës së futbollit anglez, duke kaluar rekordin e Mohamed Salah të Liverpool. Kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje për t’u luajtur në kampionat nga Manchester City, Haaland do të ketë shansin ta thellojë edhe më tej rekordin e tij. Nga ana tjetër, 22-vjeçari është kthyer edhe në një asistues të rëndësishëm për shokët e skuadrës. Shtatlarti numëron 7 asiste në këtë sezon të ‘Premier’ dhe mbi të qëndrojnë vetëm De Bruyne, Saksa, Trossard, Robertson dhe Olise, ku thuajse të gjithë këta emra janë ekzekutuesë të goditjeve të dënimit apo atyre të këndit. Në total, Haaland gjatë sezonit 2022/2023, numëron 49 gola të shënuar e 8 asiste në 43 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Kjo bën që norvegjezi të përfshihet në 57 gola të Manchester City në këtë sezon, 15 më shumë se çdo lojtar tjetër në ligat kryesore të kontinentit, me një mesatare prej 1 goli apo asistimi çdo 58 minuta lojë. Ylli i City-t e godet portën kundërshtare, mesatarisht 4 herë në ndeshje dhe 1 në 3 goditje përfundojnë gjithmonë në rrjetë. Haaland e përqëndron forcën e tij tek këmba e majtë, pasi 31 gola të këtij sezoni i ka realizuar pikërisht me të. Vetëm 10 gola kanë ardhur me këmbën e djathtë, ndërsa 7 të tjera në goditjet me kokë. E vetmja gjë që norvegjezi mund të përmirësojë, janë goditjet nga jashtë zone, pasi vetëm 1 herë ka realizuar nga përtej 16 metrave, por gjithësesi, për sa kohë ruan shifrat e mësipërme, Guardiola dhe Manchester City nuk shqetësohen se si vijnë golat e yllit të tyre.