Man City – Real Madrid, Sonte ora 21:00 në TS1

Sport

Pep Guardiola, trajneri i Man.City:

“Kjo është padyshim një ndeshje që ka shumë presion dhe unë mendoj se ne duhet ta ndiejmë atë presion. Nëse përqëndrohemi tek triumfi i vitit të kaluar, nuk do të kemi atë shtytje shtesë që na nevojitet. Duhet të jemi të uritur për të garuar në këto takime; ne duhet të sjellim energjinë e duhur dhe kemi nevojë për tifozët tanë. Ndonjëherë do të duhet të vuajmë sepse është e pamundur të dominosh gjatë 90 minutave. Jemi të përgatitur për të performuar në nivelin maksimal.

Një gjë që mësuam nga ndeshja e kaluar ishte se asnjëherë nuk ka dy ndeshje të njëjta. Kurrësesi nuk mund të presim të përsëriten të njëjta episode. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë do të thotë se diku kemi gabuar.

Kam dëgjuar shpesh nga mediat dhe tifozët se ne mund të përsërisim të njëjtat suksese si në sezonin e kaluar. Besoj se jemi shumë larg ëndrrave hipotetike. Gjërat duhen marrë hap pas hapi. Është e një rëndësie të veçantë që t’i trajtojmë ndeshjet një e nga një. Është e kuptueshme që në një kompeticion si ky nuk ka asnjëherë ndeshje të lehta. Ajo se çfarë kam kërkuar fillimisht nga lojtarët e mi është të ruajnë qetësinë e ta kthejnë presionin në një motivim.

Kemi bërë një analizë të kujdesshme të asaj se çfarë bëmë në takimin e parë. Gjithmonë ka vend për përmirësim. Bëmë disa gabime dhe na kushtoi jo pak, por ndonjëherë, sado t’i interpretosh gjërat si duhet, del diçka që të befason. Për këtë është i bukur futbolli. Prandaj vazhdojmë të mësojmë ndeshje pas ndeshje. Nëse luajmë në këtë fazë të kompeticionit, do të thotë se e kemi merituar dhe se jemi në nivelin më të lartë të mundshëm, por gjithësesi do të kërkojmë të përmirësohemi edhe më tej.”

 

 

 

Bernardo Silva, mesfushor i Man.City:

“Nuk e kam parë ndeshjen 4-0 të sezonit të kaluar. Mendoj se Reali është një skuadër më e fortë këtë vit dhe këtë përshtypje e kam marrë nga ajo se çfarë ndodhi në takimin e javës së shkuar. Ne po luajmë me ‘mbretërit’ e këtij kompeticioni, prandaj të shohim se çfarë do të ndodhë. Luka Modric dhe Toni Kroos janë lojtarë të papërsëritshëm. Ata janë shembuj për t’u ndjekur dhe modele të mëdha për mua teksa luajnë në pozicionin tim. Konsistenca me të cilën luajnë, këtë e bëjnë për 15 vjet. Dhe pas gjithçkaje që kanë arritur, vazhdojnë të punojnë. Ata janë një shembull për fëmijët dhe këtë mund ta shihni me mënyrën se si sillen në fushë. Ne kemi respekt maksimal për Madridin për gjithçka që ata kanë arritur në historinë e tyre. Ata janë shumë të rrezikshëm sepse luajnë shumë ndryshe nga ne. Ndihesh sikur ke kontrollin e lojës dhe më pas ata shënojnë dy gola në një moment. Individualisht ata janë ndoshta skuadra më e mirë në botë, ndaj kemi shumë besim në shtëpi, por edhe respekt maksimal.”

Jude Bellingham, mesfushor i Real Madrid:

“Ata janë fitues të tripletës, një ekip i mrekullueshëm. Por kjo është përshtypja nga jashtë. Unë nuk shoh favoritë, por ne vetë jemi një ekip mjaft i mirë. Ne jemi Real Madridi dhe kemi lojtarë të mrekullueshëm. Kemi besim te aftësitë tona dhe kemi folur me njëri-tjetrin në dhomat e zhveshjes.

Mendoj se kam filluar të luaj shumë mirë në pjesën e parë, deri në janar, kur fituam Superkupën. Gjëja kryesore që më vrau ritmin ishte lëndimi kundër Gironas, aq sa ende mund të ndjej dhimbje të çuditshme. Duhet të jem më i përgjegjshëm në ato që bëj, por dëmtimi ndikoi në ritmin tim. Unë luaja thjesht dhe e kisha shumë të qartë se çfarë duhej të bëja, por në dy muajt e fundit roli im në ekip ka ndryshuar. Janë gjëra të vogla me të cilat më është dashur të përshtatem. Të punoj pak më shumë për ekipin, gjë që nuk më shqetëson, por ndoshta po humbas pak efikasitetin në fushë. Do të përpiqem ta kthej, kam besim. Nuk më shqetësojnë kritikat.

Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madrid:

“Futbolli është gjithmonë i futbollistëve. E kam thënë shumë herë dhe sot do të jetë e njëjta gjë. E kuptova se çfarë ndodhi në ndeshjen e parë, ishte një lojë shumë argëtuese dhe mendoj se lojtarët do të jenë, si gjithmonë, protagonistë. Gjithashtu, është një ndeshje ku do të ketë shumë cilësi në fushë. Nuk duhet të kthejmë kokën pas në të kaluarën, duhet të shikojmë ndeshjen e sotme dhe si t’i qasemi asaj, duke marrë parasysh atë që ndodhi një javë më parë. Ne duhet të konkurojmë, të luftojmë dhe të kemi besim. Rezultati është i plotë, ka edhe 90 minuta të tjera dhe gjithçka mund të ndodhë. Ne kemi besimin se kemi cilësinë për të krijuar probleme.

Kur bëhet fjalë për individët, Haaland është ende një nga lojtarët më të rrezikshëm që ka City. Fakti që ai nuk u shfaq shumë në ndeshjen e parë është një meritë për mbrojtjen tonë. Ai mund të jetë qendërsulmuesi më i mirë në botë dhe është gjithmonë i rrezikshëm.

Ne po planifikojmë të bëjmë një paraqitje të kujdesshme. Të sulmosh dhe të mbrohesh mirë, të mos humbasësh topin pa arsye, të luash mirë në kundërsulme, të kontrollosh tranzicionet. Duhet të jetë një performancë shumë e plotë dhe ne nuk po përqëndrohemi vetëm në një aspekt.

Ka shumë skuadra në Evropë që janë vërtet të forta dhe mund të luftojnë për ta fituar këtë kompeticion. Ne kemi luajtur me njëri-tjetrin gjatë tre viteve të fundit dhe ato kanë qenë gjithmonë ndeshje spektakolare. Unë mendoj se nesër do të jetë kështu. Të gjithë mund të shikojnë statistikat si të duan. Unë gjithmonë them se statistikat bëhen për t’u thyer dhe ka shumë raste të ndeshjeve ku Real Madrid nuk do të fitonte kurrë dhe më pas vazhdoi të fitonte.”