Man.City, Guardiola mbyll ende pa nisur merkaton në hyrje tek klubi anglez

Sport

Problemet financiare të shkaktuara nga pandemia e Covid-19 duket se ka prekur edhe ata që cilësohen si klubet më të pasur të futbollit. Manchester City është një prej tyre, ku pikërisht për shkak të problemeve financiare, është vendosur që të mos bëjnë ndërhyrje në merkaton e janarit. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri i skuadrës angleze, Pep Guardiola, i cili u shpreh se njësoj si shumë skuadra të tjera, edhe Manchester City nuk bën përjashtim sa i përket telasheve ekonomike që ka sjellë pandemia. Guardiola tha se gjatë janarit, nuk do të ketë asnjë afrim lojtari nga ana e ‘cityzens’, duke mbyllur mërkaton në hyrje edne pa nisur. Për momentin tekniku katalanas thotë se është i kënaqur me grupin e lojtarëve që ka, por kalendari i ngjeshur duket se ka shfaqur efektet e veta, me shumë lojtarë që kanë shfaqur probleme të ndryshme fizike javë pas jave. Pavarësisht kësaj, Guardiola është i bindur se të rinjtë e afruar në skuadër kanë treguar përkushtim dhe potencialin e duhur në rast se do të ketë një emergjencë dëmtimesh, prandaj ndërhyrja në merkaton dimërore aktualisht është përjashtuar si mundësi nga drejtuesit e klubit. Sa i përket formës së skuadrës, Guardiola tha se mungesa e rezultateve në fillim të këtij sezoni erdhi pikërisht për shkak të problemeve fizike të lojtarëve, por tani duket se gjërat janë në drejtimin e duhur. Tekniku katalanas beson se shumë shpejt, lojtarët e tij do të gjejnë formën më të mirë dhe do të përmirësojnë edhe renditjen e tyre në ‘Premier League’. ‘Cityzens’ mbajnë për momentin vendin e 8, me 23 pikë, por kanë edhe një ndeshje më shumë për të zhvilluar se sa rivalët, ku një fitore e mundshme do t’i kalonte menjëherë mes 4 më të mirëve.