Maldini, çfarë sulmi kundër Ralf Ragnick!

Sport

Paolo Maldini është hedhur në sulm ndaj Ralf Ragnick, gjermanit që përveç rolit të trajnerit përfilitet se ka kërkuar të marrë fuqi të plota te Milani, duke prekur madje deri edhe pjesën e merkatos. Nga ana e klubit milanez nuk ka ende një vendim të prerë sa i takon afrimit të ish-trajnerit të Shalkes. Megjithatë, ish-kapiteni legjendar dhe aktualisht drejtori i zonës teknike të kuqezinjve ka dashur të lëshojë për agjencinë ANSA disa deklarata që godasin direkt menaxherin gjerman. “Mendoj se duhen bërë disa sqarime. Ragnick, nëse kërkon një rol me fuqi të plota administrative, si në zonën sportive, ashtu edhe në atë teknike, cënon zona ku punojnë aktualisht profesionista me kontratë të rregullt. Prandaj do t’i jepja një këshillë që përpara se të mësojë italishten, më mirë t’i hedhë një sy koncepteve të përgjithshme të respektit. Përderisa ka kolegë që përkundër vështirësive të momentint, janë duke synuar të mbyllin sezonin në mënyrë shumë profesionale. Madje duke vendosur të mirën e Milanit, përpara krenarisë profesionale”, ka qenë reagimi i gjatë i bërë nga Maldini.
Ato që duket se kanë tërbuar drejtuesin e klubit kuqezi janë disa deklarata të bëra pak javë më parë nga Ragnick, i cili ishte shprehur që nëse pranon detyrën e ofruar nga Milani, ‘kërkon të ketë influencë të madhe e madje ndonjëherë është e nevojshme të ketë edhe fuqi të plota, në mënyrë që të ecet përpara”. Në këtë situatë duket e vëshirë që në rangjet drejtuese të Milanit të ketë një bashkëjetesë mes të dyve. Nëse vjen Ragnick, me siguri që Maldini do të largohet. Kontradikta në këtë pikë është që, si pronari i klubit, Elliot, ashtu edhe administrori Gazidis dëshirojnë ta mbajnë ish-kapitenin. Pa harruar që lojtarët kuqezinj, sidomos liderët si Romanjoli, Ibra e Donnaruma, kanë një raport të mirë me Maldinin, i cili është pikë referimi e vazhdueshme për të gjithë skuadrën.