Të xhonglosh me kokë dhe pas një serie të gjatë pasimesh ta dërgosh topin në kosh, është një nga sfidat më të njohura në botën e futbollit. Në fakt të shumta janë videot e kthyera në virale me këtë lloj sfide, por asnjë prej tyre deri më sot nuk përfshinte një 8-vjeçar dhe yjet e Realit të Madridit. Enzo Vieira, djali i Marcelos, i pranishëm shpesh në ambientet e Los Blancos, ka dëfryer pa-masë kampionët e Evropës duke marrë pjesë në një sfidë të tillë. Djaloshi, i cili aktivizohet me skuadrat zinxhire të Realit, pason pa pikë problemi fillimisht nga Theo Hernandez, e më pas me rradhë, te Sergio Ramos, Luka Modric, madje dhe te i ati, Marcelo.
Ai përmbush 13 pasime dhe e dërgon topin në koshin e rrobave duke nxitur plot brohoritje. Videoja në fjalë është bërë publike nga vetë Marcelo dhe është shpërndarë pafundësisht në rrjet. Ajo u pa mbi 5 milionë herë pa mbushur ende 24 orët. Enzo, që për Marcelon është “krenaria më e madhe” e tij, është i njohur për ambientin e Los Blancos. Herë pas here ai merret aty dhe ka lejen e plotë nga stafi dhe Presidenca, pasi si duket, shumëkush te Reali presin një të ardhme të ndritur edhe për të. Mbase jo sa i ati, i cili fundjavën që shkoi diskutoi ndeshjen e 450 me Los Blancos, por ku i dihet.