Lyon shkarkon trajnerin Sylvinho për rezultate të dobëta

Sport

Sylvinho nuk do të jetë më trajneri i Lyon. Braziliani është shkarkuar nga detyra e tij në krye të stolit të klubit francez pas humbjes minimale në derbin me Saint-Etienne, çfarë duket se nuk është përtypur mirë nga ana e drejtuesve të Lyon. Madje edhe drejtori sportiv, Juninho, i cili është ndër miqtë më të mirë të tij, ka qenë në të njëjtën linjë me presidentin Aulas dhe administratorin e klubit për të liruar nga detyra trajnerin brazilian. Në kampionatin francez, Lyoni nuk fiton prej plot 7 javësh radhazi, ndërsa as triumfi në ‘Champions League’ përballë Leipzig nuk e ka shpëtuar Sylvinhon nga shkarkimi.

Në fakt braziliani nuk vuante vetëm presionin e rezultateve dhe formën e dobët të skuadrës. Edhe tifozët e Lyon prej kohësh kishin shfaqur pakënaqësitë e tyre kundrejt teknikut 45-vjeçar, për shkak të stilit të lojës të aplikuar prej tij. Ky është shkarkimi i parë i një trajneri që ndodh tek një skuadër që luan në ‘Champions League’ në këtë sezon. Për momentin, Lyon do të drejtohet përkohësisht nga asistenti Gerald Baticle, teksa Juninho do të punojë për të gjetur një emër të përshtatshëm për të marrë përsipër arritjen e objektivave të skuadrës. Në kampionat, gjërat për Lyon u ndërlikuan së tepërmi pas humbjes me Saint-Etienne. 7 herë kampionët e Francës renditen pas 9 javësh të ‘Ligue 1’ në vendin e 14, me vetëm 9 pikë të grumbulluara. Ndërsa në ‘Champions’, situata pas 2 ndeshjesh është më e mirë, me lionezët që deri më tani kanë grumbulluar 4 pikë.