Luois Van Gaal: Argjentina u favorizua në Botëror

Sport

Louis Van Gaal mendon se Argjentina u favorizua në Botërorin e vitit 2022. Në evenimentin madhështor të Katarit, 72 vjeçari ishte në krye të përfaqësueses tulipane, teksa nuk mundi të shkonte dot përtej raundit çerekfinal, pasi u mposht pikërisht nga Argjentina, në një sfidë mjaft tensionuese, me latinët, që në fund, u kualifikuan falë gjuajtjes së penalltive.

Teksa Hollanda u kthye në shtëpi, Argjentina e vijoi rrugëtimin, duke eliminuar Kroacinë në gjysmëfinale, e më pas Francën në finale, e për të ngritur në qiell trofeun më të lavdishëm të futbollit. E udhëhequr nga kapiteni Lionel Messi, një sukses të tillë, përfaqësuesja albiçeleste kishte dekada që nuk e përjetonte.

Pikërisht në lidhje me këtë sukses të Argjentinës në Katar, Van Gaal është i mendimit se 3 herë kampionët e botës, në një mënyrë, ose në një tjetër ishin të favorizuar, vetëm e vetëm për të shkuar drejt suksesit.

“Nuk e di se ç’të them me saktësi, por kur shikon se si Argjentina i shënonte golat, apo disa lojtarë të saj nuk ndëshkoheshin, edhe pse e kalonin vijën e kuqe, më bën të mendoj se gjithçka ka qenë e përcaktuar më herët”, ka deklaruar ndër të tjera, takticieni Van Gaal.

Pas kësaj deklarate, mbetet për t’u parë nëse do të ketë një kundërpërgjigje nga pala argjentinase, nga kapiteni Lionel Messi, apo prej ndonjë tjetër përfaqësuesi të kampionëve të botës.