Nuk mund të kishte fillim më të mirë të kampionatit rumun për Azdren Llullakun, i cili praktikisht ka rilindur në Rumani, atje ku ka kaluar edhe periudhën më të mirë të karrierës së tij. Pas golit trepikësh që shënoi javën e kalaur ndaj Steauas së Bukureshtit, tashmë sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka përsëritur veten, teksa gjeti sërish rrjetën në sfidën e dytë atë që Astra e tij barazoi 1-1 përballë Poli Iasit. Fillimisht, Astra e pa veten në disavantazh në minutën e 60, ndërsa Llullaku riktheu baraspeshën në minutën e 81-të, duke ekzekutuar saktë një 11-metërsh.
Dhe nuk ka nguruar që të festojë sërish me shqiponjë, duke treguar madje se do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë edhe në vijim. Për më tepër ka konfirmuar se polemikat e mundshme në media nuk e frikësojnë. Ai pati festuar me shqiponjë edhe golin ndaj Steauas, duke bërë mjaft bujë në tokën rumene, përderisa e kishin lidhur direkt me ngjarjet e Botërorit dhe festimin e Shaqirit dhe Xhakës përballë Serbisë. Llullaku u rikthye këtë verë në kampionatin rumun, pas dy sezonesh mes Kazakistanit dhe Serisë B, në Itali, ndërsa menjëherë filloi të tregojë se nuk e ka humbur nuhatjen e golit.