Romelu Lukaku arriti të fitojë derbin e parë të Milanos dhe e bëri këtë në mënyrën më të shkëlqyer, duke shënuar e duke vulosur rezultatin 2-0 në favor të Inter. Belgu u pa mjaft i entuziasmuar në momentin e golit, teksa pati një festim të veçantë edhe me trajnerin Conte. Pavarësisht golit, 3 pikëve dhe vendit të parë, Lukaku e përqëndroi intervistën e tij tek numri 1 i stolit zikaltër. Sulmuesi u shpreh se ndihet mjaft i lumtur që ka mundësinë të punojë me një trajner si Conte, e që për me tepër, ushqen një pasion të tillë të madh për lojën dhe fitoren.
“Kam një marrëdhënie shumë të fortë me Conten. Ai po më ndihmon vërtet shumë. Në moshën time, dua tamam një trajner si ai, që të motivon çdo ditë dhe e ndjen kaq shumë një ndeshje.”
Lukaku tha se fitorja në derbi ishte një tregues i qartë se Interi do vazhdojë të përmirësohet ndeshje pas ndeshje dhe se nga ana psikologjike, skuadra ka rifituar besimin se mund të shkojë larg. Por tek sulmuesi belg dhemb ende barazimi me Slavia Prahan, një ndeshje që Lukaku e përshkroi si të komplikuar. Sipas tij, skuadra duhet të ishte më agresive ndaj kampionëve çekë dhe duhej të kishte zbritur në fushë me të njëjtin motivim si në derbi. Megjithatë Lukaku nuk pranon të heq dorë nga kualifikimi më tej duke shtuar se është luajtur vetëm ndeshja e parë dhe pavarësisht se kundërshtarin si Dortmund apo Barcelona janë shumë të fortë, do jenë vetë lojtarët e Inter që do ta kenë në dorë fatin e tyre.