Lukaku mund të fitojë ndaj Ronaldos me lehtësi sipas Van der Meyde

Sport

Romelu Lukaku ishte blerja e madhe e Interit gjatë merkatos verore, me belgun që erdhi si kërkesa kryesore e trajnerit Antonio Conte. Pritshmëritë ndaj ish-sulmuesit të Manchester United janë mjaft të mëdha nga tifozët zikaltër, që shpresojnë të kenë gjetur liderin e tyre, me dëshirën për të lënë pas hijen e Mauro Icardit. Por ka edhe nga ata që besojnë se Lukaku, jo vetëm që do të udhëheqë Interin drejt suksesit gjatë këtij sezoni, por që edhe në aspektin personal do të bëjë më mirë se yjet e tjera të ‘Serie A’. Ish-lojtari i Interit, Van der Meyde, beson se Lukaku do të jetë golashënuesi më i mirë i kampionatit italian dhe se do të mposhtë me lehtësi Cristiano Ronaldon. Sipas holandezit, fakti që Lukaku e ka ndjekur prej kohësh ‘Serinë A’ dhe përshtatja e shpejt me Interin, do e bëjnë shumë të thjeshtë për belgun që të gjejë rrugën e rrjetës më shumë se 20 herë gjatë këtij sezoni.

Sulmuesi 26-vjeçar e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij italiane, pasi në dy ndeshjet e para ka arritur të shënojë 2 herë. Ndërsa Ronaldo gjatë sezonit të tij të parë me Juventus shënoi 21 gola, duke provuar se nuk ka ndërmend të ndalet, pavarësisht moshës 34-vjeçare. Por Van der Meyde këmbënguli se Lukaku ka cilësitë dhe karakteristikat e duhura për të bërë mirë në ‘Serie A’ dhe duke parë mbështetjen e madhe që ka tek Inter, atëherë belgu do të ketë më të thjeshtë se sa Ronaldo. Lukaku ka vijuar me formën e mirë edhe tek kombëtarja e Belgjikës, ku ishte protagonist me gol në fitoren 4-0 në transfertën me Skocinë.