Lukaku, lufta Inter-Juventus sheh një skuadër në avantazh

Sport

Romelu Lukaku është jashtë planeve të Mancester United dhe këtë e konfirmojnë edhe sinjalet e radhës. “Djajtë e kuq” udhëtuan drejt Norvegjisë për një miqësore me Kristiansund, por Solskjaer nuk përfshiu sërish Lukakun në listën e të grumbulluarve. Trajneri tha se arsyeja e mungesës së tij është për shkak të lëndimit, mirëpo e vërteta duket se nuk qëndron këtu. Sulmuesi belg kishte udhëtuar me skuadrën edhe për turneun parasezonal në Australi dhe Azi, mirëpo pa bërë asnjë paraqitje.  Në një situatë të tillë është ndezur një betejë mes Interit e Juventusit për të siguruar shërbimet e tij. Për momentin janë kampionët e Italisë që duken në avantazh, pasi mund ta përfshijnë sulmuesin në një shkëmbim me Paulo Dybalan. Nga ana tjetër, administratori i Interit Beppe Marotta insiston se klubi i tij ka bërë një ofertë të denjë për lojtarin e Manchester United. Zikaltërit mendohet të kenë ofruar 70 milionë euro plus bonuse, por United vazhdon të kërkojë 85 milionë.

“. Kemi bërë një ofertë të denjë për Lukaku, por nuk kemi qenë në gjendje të mbyllnim marrëveshjen pasi Junaited nuk u kënaq me atë që i propozuam. Do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën dhe çdo gjë mund të ndodhë në merkato. Kemi një klub të fortë financiarisht, mirëpo duhet të qëndrojmë brenda disa parametrave të caktuar. Kemi bërë investime të mëdha dhe mendojmë se jemi në një nivel të mirë për momentin. Për ne, ky është viti zero. Jemi besimplotë se do të ndërtojmë një ekip konkurues” u shpreh Marota për Sky Sport. Ai është ndalur edhe te trajneri i ri, Antonio Conte, sikurse dhe te çështja “Icardi”. “Conte ka sjellë kulturën e punës, mendoj se kjo përqasje do të na bëjë të ecim përpara. Kurse sa i takon Icardit, vështirësia në këtë cështje qëndron në administrimin e lajmeve që dalin. Të gjithë duhet të tregohemi disi më diskretë gjë që nuk po ndodh…”, shpjegoi Marotta.