Romelu Lukaku arrin marrëveshjen përfundimtare me Chelsean për t’u shitur në verën e 2024-tës dhe të mos jetë më pjesë e Bluve të Londrës, atje ku për momentin, ka një kontratë të vlefshme deri në 30 Qershor të 2026-tës.
Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, Blutë dhe sulmuesi, kanë mbërritur në një pikë të përbashkët, që lojtari të shitet deri në kuotën e 45 milionë eurove. Pra, nëse në dyert e londinezëve do të trokasë një ofertë në lartësinë e kërkuar, atëherë shitja do të kompletohet, sigurisht edhe me dëshirën e vetë futbollistit.
Në kushte si këto, në fund të këtij sezoni, pritet të ketë një interes të lartë klubesh për të siguruar në mënyrë përfundimtare shërbimet e belgut, i cili prej disa edicionesh me radhë, është endur i huazuar në radhët e Interit, apo aktualisht edhe Romës. E në fakt, është pikërisht Roma, që shihet në pole-position për të transferuar shtatlartin e ofensivës në mënyrë zyrtare.
Megjithëse gjithçka do të merret në konsideratë në vijueshmëri të sezonit, duhet theksuar se nisja e aventurës së Lukakut me klubin verdhekuq ka nisur në mënyrën më të mirë të mudshme. Në 8 ndeshje të luajtura mes Serie A dhe Europa League, qendërsulmuesi ka shënuar një total prej 7 golash.