Luka Modriç i reziston ofertës arabe, mesfushori drejt rinovimit me Real Madrid

Sport

Luka Modriç i reziston ofertës arabe. Përgjatë kohëve të fundit, klubet e Lindjes së Mesme kanë arritur të transferojnë emra të rëndësishëm të futbollit, ndërsa edhe Luka Modriç ishte pjesë e listës.

Mesfushori është i lidhur zyrtarisht me Realin në kontratë, deri në 30 Qershor, mirëpo, rinovimi edhe për një tjetër sezon, dukej thjesht çështje kohe për kroatin. Por, një propozim i freskët dy vjeçar i ardhur nga Arabia Saudite, me 50 mln euro në sezon, duket se e ka tunduar për një moment 37 vjeçarin, i cili ka reflektuar mbi të ardhmen e tij.

Për një çast, lojtari filloi të dukej më larg Realit, sesa më pranë. Megjithatë, duke iu referuar mediave spanjolle, numri 10-të, ka vendosur të qëndrojë në “Santiago Bernabeu”. Synimi i Modriç është të luajë edhe për një tjetër vit futbollistik me Los Blancos, e më pas mund të mendojë për një aventurë të re, ndoshta edhe në Lindjen e Mesme.

Sakaq, në të njëjtën situatë është edhe mesfushori tjetër veteran i Real Madrid, Toni Kroos. Ashtu sikurse Modriç, edhe kontrata aktuale e gjermanit me klubin kryeqytetas mbyllet në fund të Qershorit. Edhe Kroos është në orbitën e klubeve saudite, ku miliona të shumtë janë ofruar në drejtim të tij. Gjithësesi, 33 vjeçari nuk ka asnjë dyshim, por është i vendosur që të rinovojë për një tjetër sezon me 14 herë kampionët e Europës. Rinovimi i Modriç dhe Kroos, pritet të vijë shumë shpejt edhe në rrugë zyrtare.