Në prag të gjysmëfinales së Botërorit ndaj Argjentinës, kapiteni i Kroacisë, Luka Modriç, ka “skanuar” këtë ndeshje të madhe, teksa ndër të tjera ka treguar edhe sekretin e forcës që skuadra e tij ka mbërritur deri në këtë fazë.
Eliminimi i një kundërshtari si Brazili ishte surprizuese nga ana e ballkanasve, të cilët, edhe pse pësuan të parët në kohën shtesë, sërish e gjetën forcën për të reaguar. E barazuan sfidën dhe më pas u kualifikuan me anë të penalltive.
Këtë mentalitet për të mos u dorëzuar kurrë deri në sekondën e fundit, Modriç thotë se Kroacia e ka marrë nga ADN-ja e Real Madrid.
“Ajo që mund të them është se ne kemi të njëjtën ADN dhe mentalitet sikurse Real Madrid. Nuk dorëzohemi asnjëherë dhe vazhdojmë të luftojmë deri në sekondën e fundit”, ka thënë 37 vjeçari.
Më tej, Modriç është pyetur Argjentinën dhe për lojtarin më në formë dhe më të rrezikshëm të tyre, Lionel Messin, i cili deri më tani ka bërë diferencën në formacionin e Lionel Scalonit.
“Kjo do jetë një gjysmëfinale kundër një skuadër të madhe dhe jo ndaj një lojtari të vetëm. Sigurisht që Messi është një lojtar i madh, më i miri i ekipit të tij, dhe ne do hasim mjaft vështirësi për ta ndalur. Megjithatë, jemi të përgatitur dhe do japim maksimumin. Shpresoj të kualifikohemi në finale”, janë fjalët e kapitenit të Kroacisë.