Luka Modriç do të rinovojë kontratën me Real Madrid

Sport

Vazhdojnë lajmet e mira për Real Madrid, edhe pas suksesit në UEFA Champions Legaue. Luka Modriç do të rinovojë kontratën me 15 herë kampionët e Europës. E ardhmja e mesfushorit diskutohej prej një kohe të gjatë, teksa nuk kishin munguar zërat për një largim të lojtarit nga Santiago Bernabeu.

Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu. Mediat pranë klubit spanjoll, apo edhe më gjerë se kaq, bëjnë me dije se Modriç do të rinovojë të paktën edhe për një tjetër edicion me Real Madrid. Synimi i 38 vjeçarit është ta mbyllë karrierën me Los Blancos dhe me shumë mundësi kështu do të ndodhë në fund të edicionit të ardhshëm.

Në sezonin e ri, Modriç nuk parashikohet të luajë titullar, por shumicën e ndeshjeve mund t’i nisë nga stoli. Megjithatë, nuk ka asngjë dyshim që kontributi i ballkanasit në skuadër është i jashtëzakonshëm edhe atëherë kur luan pak minuta dhe një gjë të tillë e ka vërtetuar në edicionin 2023/24.

Po ashtu, përveç faktit që zotëron një kualitet të lartë, Modriç konsiderohet gjithashtu edhe shumë i rëndësishëm për lojtarët e rinj të organikës. Me eksperiencën e tij, mesfushori është kthyer në një mentor për shumë elementë të tjerë.

Jo vetëm kaq. Me 26 trofe të fituar me fanellën e Real Madrid, Luka Modriç tashmë është bërë lojtari më i dekoruar në historinë e klubit spanjoll, vend që e ndan bashkë me kapitenin Nacho Fernandez.

Ndërkohë, një tjetër lojtar që pritet të rinovojë gjithashtu kontratën me Real Madrid është edhe Lucas Vazquez, me këtë të fundit, i cili, ashtu sikurse Modriç, planifikon ta mbyllë karrierën me fanellën e bardhë.