Luka Modriç: Arbitri Orsato gaboi, penalltia nuk ishte

Sport

Luka Modriç ia faturon arbitrit Daniele Orsato humbjen ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Ballkanasit u mposhtën me rezultatin 3-0, por sipas mesfushorit, Orsato nuk e bëri sikurse duhet detyrën e tij.

Sipas kapitenit të kroatëve, Orsato nuk duhet ta kishte dhënë atë penallti që u fitua nga Julian Alvarez dhe më pas u shndërrua në gol nga Lionel Messi në minutë e 34.

“Nuk preferoj të komentoj punën e arbitrave, por Orsato është një prej më të kritikuarve në funksionin e tij. Prej tij nuk kam aspak kujtime pozitive. Sipas meje, ajo nuk ishte penallti. Ai 11 metërsh i dhënë kundër nesh, ndikoi në pjesën e mbetur të lojës tonë, ka thënë Luka Modriç.

Megjithatë, 37 vjeçari ka shprehur vlerësime maksimale për lojën e Argjentinës dhe se përfaqësuesja albiceleste e fitoi me meritë ndeshjen.

“Sidoqoftë, Argjentina fitoi me meritë. Ata ishin më të mirë sesa ne. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të rikuperojmë energji dhe të bëhemi gati për sfidën e vendit të 3-të”, janë fjalët e lojtarit të Real Madrid.

Ndeshja ndaj Argjentinës, ishte e fundit për Luka Modriç në Kupën e Botës me përfaqësuesen kroate. Në Botërorin e radhës ai do jetë 41 vjeç dhe me shumë mundësi atëherë mund të jetë tërhequr nga futbolli.