Luis Enrique është zyrtarisht trajner i skuadrës së PSG. Spanjolli ka nënshkruar një kontratë 2 vjeçare me klubin francez. Në fjalët e tij të para si timonier i kampionëve të Ligue, 53 vjeçari është shprehur mëse i kënaqur që i është dhënë një mundësi e tillë.
“Jam mëse i kënaqur që në Paris do të përjetoj një eksperiencë të re. Po pres me padurim të punoj me njerëz të rinj, të jetoj në këtë qytet dhe të mësoj një gjuhë të re. Por mbi të gjitha, jam i emocionuar që do të drejtoj një skuadër si PSG”, ka dekluaruar si fillim Luis Enrique.
Një nga temat më të diskutuara në kampin parizien është e ardhmja e Kylian Mbappe, e cila vijon të mbetet e paqartë. Një pyetjeje të tillë, ish-trajneri i Barcelonës, nuk mund t’i shmangej dot.
“Çdo gjë mbetet e hapur. Nuk mund të zbuloj ndonjë gjë të veçantë, sepse kjo është një çështje që diskutohet në mënyrë private me skuadrën. Mbappe ka ende një kontratë të vlefshme këtu dhe nuk e di se ç’do të ndodhë në vijimësi të merkatos”, është përgjigjur Enrique.
Në “Parc des Princes”, Enrique është emëruar në vendin e Chhristophe Galtier, aventura e të cilit me skuadrën pariziene zgjati vetëm një sezon. Ndonëse ai fitoi titullin kampion dhe një superkupë, kjo nuk mjaftoi për të qëndruar ende në stol. Arsyeja e largimit të tij, dihet. Galtier dështoi në Champions League, duke u eliminuar që në fazën e 1/8-tave, teksa objektivi ishte fitimi i titullit.
Në këtë mënyrë, mund të thuhet se edhe objektivi kryesor i Luis Enrique në “Parc des Princes” është triumfi në Champions League, trofe që Parisi e kërkon prej shumë vitesh.
Menjëherë pas Enrique, PSG ka zyrtarizuar edhe mbrojtësin Milan Skrinar, i cili u transferua me parametra zero nga skuadra e Interit. Sllovaku ka nënshkruar një kontratë 5 vjeçare me kampionët e Ligue 1, por nuk pritet të jetë përforcimi i vetëm i kryeqytetasve përgjatë kësaj merkatoje verore.